Sot në mëngjes, u rikthyen me tragetin e linjës Brindizi-Vlorë, një gjyshe 67 vjeç dhe mbesa e saj 17 vjeç.

Gjyshja ishte nisur dje nga Vlora, bashkë me mbesën e saj për të kaluar disa ditë pushime te një nga vajzat që jeton e punon në Itali prej 16 vjetësh.

Vajza kishte ardhur për t’i marrë në portin e Brindizit.

Një polic italian nuk i la të kalonin edhe pse ato kishin me vete ftesën e bërë nga vajza, një kartë krediti dhe 50 euro kesh.

Polici italian u tha që duhet të kishte jo më pak se 350 euro/ person, pra 700 euro, dhe këto të ishin kesh!

Duke qarë të dyja, tentuan t’i jepnin edhe telefonin që të fliste me vajzën që i priste aty jashtë, por polici italian refuzoi me shumë cinizëm!

Sot në mëngjes, rizbritën nga trageti, me sytë mbushur me lot, zemërthyer e me shpenzimet e biletave që u shkuan dëm.

Si ka mundësi të ndodhë diçka e tillë në 2019?!

Si ka mundësi që në portin e Brindizit vazhdojnë të sillen brutalisht me shqiptarët njesoj si në 1990?

Edhe mua më ka rastisur të njoh nga afër mungesën e edukatës dhe kërkesën e pacipë: “Sa euro ke me vete, pa m’i trego!”

Si ka mundësi që në asnjë aeroport, port, apo pikë kufitare në Europë, nuk na kërkon njeri të tregojmë paratë kesh që kemi me vete, siç ndodh rëndom në Brindizi?! Dhe si ka mundësi që nuk e marrin parasysh kartën e kreditit, kur e dinë shumë mirë që tashmë askush nuk udhëton me para kesh?!

Si ka mundesi që një brutalitet të tillë, nuk e gjen nëpër pikat e tjera kufitare të Italisë, por vetëm në Brindizi?!

Dikush duhet ta ngrejë zërin që askush ne portin e Brindizit të mos abuzojë me shqiptarët! Qoftë ky polic i frustruar nga jeta personale, nga xhelozia apo racizmi ndaj shqiptarëve!

Sidomos në këtë pragsezoni turistik, u bëj thirrje institucioneve: ministrive përkatëse, Prefekturës, apo Ambasadës shqiptare në Itali, të ndërhyjnë, qoftë edhe me takime dypalëshe, që të mos ketë me asnjë rast abuzimi me ligjin në kurriz të shqiptarëve, qofshin turistë apo emigrantë!

Mjaft më!/Gazeta Shqiptare.