Në ambientet e drejtorisë së përgjithshme të PK-së drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj me bashkëpunëtorë, priti në takim zyrtar drejtorët e policive të dy shteteve, asaj të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë takimit u bisedua për tema me interes të përbashkët të të tri agjencioneve policore, me theks të veçantë ngritja dhe avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërinstitucional, i cili do të ndikojë në ngritjen e sigurisë së përgjithshme tek të tri vendet dhe më gjerë.
Qëllimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve policore do të ndikojë në mënyrë pozitive edhe në parandalimin e krimit të organizuar dhe atij trans-kufitar.
Drejtori i Policisë së Kosovës Qalaj falënderoi dy drejtorët e policive Ardi Veliu dhe Sasho Tashevski për vizitat e tyre të cilat do të shërbejnë për të forcuar bashkëpunimin reciprok.
Drejtuesit e të tri agjencioneve u zotuan për ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit dhe realizimit të takimeve të ndërsjella edhe në të ardhmen.