Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ia prish “heshtjen” grupit kriminal, goditet grupi i organizuar i trafikimit me Kokainë, sekuestrohet drogë dhe asete në vlerë mbi 300 mijë euro

Prishtinë, 15 nëntor 2026

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), më 14 nëntor 2026 ka realizuar një operacion të gjerë policor të koduar “Heshtja”, në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me goditjen e një grupi të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.

Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore, i cili ka zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, nga personat e dyshuar në nivel drejtues deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.

Gjatë realizimit të operacionit antidrogë, me asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, patrullave policore të stacioneve të kryeqytetit, Njësisë së Forenzikës dhe Njësisë K9, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit fillestar dhe vazhdimit të tij, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar:

Rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë. Para të gatshme në valuta të ndryshme, në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë.Gjashtë vetura të markave luksoze dhe të ndryshme, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.Telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e kundërligjshme.Ora luksoze dhe stoli të çmuara, përfshirë ora të markave Rolex dhe Franck Muller.Një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente dhe shënime të ndryshme që do të trajtohen në kuadër të procedurave hetimore.

Sipas vlerësimeve të bazuara në çmimin e shitjes së kokainës në tregun e rrugës, sasia e përgjithshme e kokainës së sekuestruar vlerësohet të ketë një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh. Ndërsa, vlera e përgjithshme e vlerësuar e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat luksoze, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, sipas raportit të rastit, arrin në rreth 301 mijë euro.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda. Hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe aktive në luftimin e trafikimit të narkotikëve, me fokus të veçantë në identifikimin dhe goditjen e grupeve të organizuara kriminale në të gjitha nivelet e funksionimit të tyre, nga organizatorët dhe furnizuesit deri te shpërndarësit në rrugë.

Përmes hetimeve profesionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe operacioneve të vazhdueshme, Policia e Kosovës do të vazhdojë të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin dhe luftimin e këtij aktiviteti kriminal, mbrojtjen e sigurisë publike dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit.