Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike ka zhvilluar hetime në lidhje me këto dyshime, ndërsa gjatë të enjtes u ekzekutua urdhëresa për kontroll e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku u kontrolluan edhe shtëpitë e objektet përcjellëse të të dyshuarve në Prishtinë e Gjakovë.

Të arrestuar gjatë këtij operacioni janë: B.J. viti i lindjes 1999, mashkull kosovar, L.S. viti i lindjes 1999, mashkull kosovar dhe Y.O. viti i lindjes 1996, mashkull kosovar.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme të cilat janë të ndërlidhura me rastin. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer në vazhdimësi veprat e cekura më lart me qëllim të përfitimit personal, vjedhjen e të dhënave të kartelave bankare dhe llogarive tjera të ndryshme, pastaj këto të dhëna i shitnin përmes ueb faqeve të ndryshme” thuhet në komunikatën e PK.

Si provë materiale janë sekuestrua përkohësisht: pesë kompjuter Laptop, një shtëpizë kompjuteri, 6 gjashtë telefona celular, një) veturë që dyshohet se është përfituar nga vepra penale, një IPAD, një hard disk, dy USB, trembëdhjetë CD.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.