Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se në disa lokacione të Podujevës ndriçimi publik po qëndron ndezur edhe gjatë ditës, shkruan Llapi.info.
Në një reagim në Facebook, Komuna e Podujevës ka thënë se kjo po vije si pasojë e vendosjes së disa batanijeve nëpër senzorë.
“Jemi të njoftuar nga qytetarët që në disa lokacione të qytetit, në senzorët e vendosur në shtyllat e ndriçimit publik, persona të pandërgjegjshëm po vendosin batanije, dhe si pasojë disa vende ndriçimi publik po qëndron i ndezur edhe gjatë ditës. Informacionin e kemi përcjellur në drejtoritë përkatëse të cilat do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e këtyre veprimeve”, thuhet në reagimin e Komunës.
Situata energjetike në Kosovë është përkeqësuar, pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës. Si pasojë e kësaj, konsumatorët kosovarë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të mërkurën, më 29 dhjetor, vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa emergjente në furnizimin e energjisë elektrike./Llapi.info






