Ka arritur në 17 numri i viktimave me koronavirus në Komunën e Podujevës, pasi në ditët e fundit janë konfirmuar edhe tri raste me fatalitet, raporton Llapi.info.

Krahas rritjes së numrit të të vdekurve, gjatë javëve të fundit numri i rasteve aktive po vazhdon të bie. Gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar vetëm dy raste të reja. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një rast është në qytet dhe tjetri në Gërdoc.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se aktualisht aktivë me virusin korona janë edhe 92 qytetarë.

“Dy raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Podujevë nga IKSHPK-ja. Aktualisht i kemi edhe 92 raste aktive me këtë virus. Të hënën janë regjistruar dy raste me fatalitet, kurse dje një rast duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 17. Të njëjtit janë të moshës 74-77 vjeç”, ka thënë Rama.

Epidemiologia dhe koordinatorja e Shtabit Emergjent në Podujevë ka thënë se edhe 37 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 1.800 persona janë testuar, ndërkohë që prej tyre rreth 560 kanë rezultuar pozitivë, kurse janë shpallur të shëruar mbi 400 pacientë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar të enjten se me sëmundjen COVID-19, kanë vdekur edhe 9 persona, të cilët kanë ngritur shifrat në 548.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 78 persona të infektuar me koronavirus. Rezultati është në bazë të 459 testimeve të kryera. Aktualisht raste aktive me COVID-19 në Kosovë janë 3.130. Po të enjten, IKSHPK bëri të ditur se nga sëmundja janë shëruar edhe 190 pacientë.

Bazuar në gjitha këto të dhëna, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, në Kosovë janë regjistruar 13.791 të infektuar. Prej tyre 548 kanë vdekur ndërsa, 10.113 janë shëruar./Llapi.info