Ka shkuar në 4 numri i viktimave me koronavirus në Komunën e Podujevës, pas dy rasteve të vdekjes në ditët e fundit, e që të cilat janë bërë të ditura mbrëmë, raporton Llapi.info.
Dy të vdekurit janë të moshës rreth 70-vjeçare dhe që të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së dhe anëtarja e shtabit emergjent në komunën e Podujevës, Bedrie Rama.
“Dy raste janë që kanë mbaruar para dy dite me fatalitet, e që rezultati ka ardhur mbrëmë vonë. Një rast është nga fshati Shajkoc dhe një tjetër është nga fshati Balloc. Moshat e tyre mbi 70-vjeçare, të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese kronike. Njëri është testuar pas vdekjes me kërkesë të familjes. Deri tani i kemi katër raste me fatalitet në Podujevë”, ka thënë ajo.
Derisa ka bërë të ditura vendbanimet e rasteve të reja, epidemiologia Rama ka theksuar se në këtë komunë janë në pritje të rezultateve edhe për rreth 50 mostra, të cilave u është bërë testimi këto tri ditë.
“Nëpërmes njoftimit të Institutit është bërë e ditur për tetë raste, mirëpo zyrtarisht në imell më kanë ardhur gjithsej me emra dhe mbiemra gjashtë raste me këto të fatalitetit. Për rastet e reja, një është nga fshati Batllavë, një rast tjetër është në qytet afër Stacionit Policor, një rast është në fshatin Balloc dhe rasti i fundit është nga fshati Tërnavë. Këto rezultate kanë dalë nga Klinika Infektive në Prishtinë. Ditët e fundit janë bërë goxha testime këtu në Podujevë, por rezultatet ende s’kanë dalë qe tri ditë dhe bëhet fjalë për rreth 50 mostra që janë pritje të rezultateve”, ka thënë tutje ajo.
Më tej, Rama ka theksuar se në Podujevë ka shkuar në 44 numri personave aktivë me COVID-19.
“Tetë pacientë i kemi në Klinikën Infektive për të cilët gjendja e tyre nuk raportohet të jetë e rëndë, kurse për këta që janë nëpër shtëpi janë me intensitet mesatar dhe nuk mund të thuhet se kanë simptoma të lehta. Ekipet i kemi vazhdimisht në terren për t’i përcjellë. Gjendja momentalisht është e menaxhueshme. Në ditët në vijim pritet të rritet akoma rastet në këtë komunë. Rastet aktive tani për tani i kemi 44”, ka thënë Rama.
Deri më tani në Podujevë janë konfirmuar 84 raste me COVID-19, derisa rasti i parë ishte paraqitur më 15 mars. Të premten u konfirmuan 13 raste, bilanc ky më i madh brenda një dite në këtë komunë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar se të shtunën janë regjistruar edhe 203 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 419 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Bazuar në të dhënat e fundit, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë konfirmuar gjithsej 4.715 raste pozitive. Prej tyre, 2,387 mbesin raste aktive./Llapi.info






