Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë një polic në këtë komunë, i cili ka qenë i prekur me COVID-19, njofton Llapi.info.
“Me pikëllim mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Hakif Hodollit, njeriut të urtë, e të hareshëm, i cili i shërbeu me nder e përkushtim vendit të tij në secilën rrethanë të kohës. Hakifi, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës, sot fatkeqësisht humbi betejën ndaj COVID-19”, ka shkruar ai në Facebook.
Lajmin për vdekjen e Hodollit e ka bërë të ditur edhe Amir Gërguri, komandanti i Njësisë Speciale të Kosovës.
Siç mëson Llapi.info, Hodolli ka rezultuar pozitiv për virusin korona para 10 dite.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka regjistruar sot edhe 162 raste të reja me COVID-19, pas testimit të 470 mostrave./Llapi.info






