Sot janë bërë 23 vjet nga rënia heroike e dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit, Milaim Qerimi, Ilaz Selimi dhe Musa Qerimi, shkruan Llapi.info.

Këta tre luftëtarë, siç qëndruan bashkë në beteja ashtu edhe ranë bashkë që të tre në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë.

Më 26 maj 1999 ata bien dëshmorë në tokat stërgjyshore ku jetonin me shekuj në fshatin Repë të Podujevës.

Ilazi mori pjesë edhe në disa beteja tjera deri në betejën e fundit kur më 26 maj 1999 bie dëshmor në fshatin Repë, duke luftuar me heroizëm kundër forcave serbe. Një ditë më parë, më 25 maj të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Forcat ushtarake e policore serbe sulmojnë nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Më 26 maj 1999, derisa ishte duke qëndruar i palëkundur në pozicionet e UÇK –së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, Ilazi bie heroikisht, përkrah Milaim dhe Musë Qerimit.

Musa ushtrimet ushtarake i filloi më 17.10.1998, në Sylevicë, te komandanti Faik Durmishi, në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Gjatë gjithë kohës në vazhdim ai kreu detyra ushtarake me përgjegjësi, deri në ditën e rënies. Mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në këtë zonë. Në këto beteja ishte i pandarë nga kushëriri i tij, Milaim Qerimi dhe nga Ilaz Selimi, që të dy dëshmorë të kombit. Këta tre luftëtarë, siç qëndruan bashkë në beteja, ashtu edhe ranë bashkë që të tre në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Gjatë luftimeve të muajve mars – maj 1999, Musa ishte në pozicionet e Repës, ne vendin e quajtur Bregu i Lamës.

Punët dhe detyrat që i caktoheshin, Milaimi i kryente me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë. Që nga 24 marsi i vitit 1999, bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë, në mesin e të cilëve kishte edhe ish – nxënës të tij, merr pjesë në disa beteja, duke përballuar me sukses sulmet e forcave serbe. Ka qenë pjesëmarrës i rregullt duke hyrë në vijën e parë të frontit në ofensivat, në fshatrat Tashefc, Pollatë, Repë, Metehi etj.

Gjatë ofensivës së njohur të marsit të vitit 1999, në kufirin Kosovë -Serbi, në fshatin Tashefc, tërë ditën kishte qëndruar në istikame, së bashku me Ilaz Selimin dhe Musë Qerimin (të dy dëshmorë të kombit), në vendin e quajtur “Bregu i Lamës” në Repë.

Gjatë asaj kohe Milaimi ka merr pjesë aktive në luftime. Më 26 maj 1999, derisa ishte duke qëndruar i palëkundur në pozicionet e UÇK-së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, në orën 15 bie heroikisht, bashkë me Musë Qerimin dhe Ilaz Selimin.

Një pllakë përkujtimore për dëshmorin është vendosur në hyrje të fshatit Repë e Epërme, në vendin e quajtur “Te lëndinat”, aty ku ishte vendosur pika e parë e UÇK-së në këtë fshat. Aty është skalitur emri dhe fotografia e Milaimit dhe e dëshmorëve të tjerë të këtij fshati, të cilët ranë në luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës./Llapi.info