Një person është arrestuar nga policia në Podujevë, nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, duke shtënë me armë, raporton Llapi.info.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj ditor. Sipas PK-së, deri tek ky incident ka ardhur pas një mosmarrëveshje mes tre personave.
“Fshati Sfeqël, Podujevë 28.10.2020-00:35. Dy ankuesit meshkuj kosovarë kanë raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij janë gjetur dhe janë sekuestruar 85 copë fishekë ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndërkaq, në një raport shtesë, PK ka thënë se është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit është gjetur dhe është konfiskuar pistoleta me tre fishekë, po ashtu në vendin e ngjarjes është gjetur një fishek dhe një gëzhojë./Llapi.info