Dy raste pozitive janë regjistruar sot në Podujevë pas testimit të 9 mostrave të dyshuara për COVID-19, raporton Llapi.info.
Testimet janë bërë ditë më parë, ndërkaq nga rezultatet e dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), rastet pozitive janë një nga fshati Sfeçël dhe një në qytet. Ky i fundit ka ndërruar jetë para dy dite, por që rezultati i mostrave ka dalë sot dhe që i njëjti ishte testuar para se të ndërronte jetë.
Në këtë komunë ka shkuar në shtatë numri i të vdekurve me COVID-19 dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera kronike. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së dhe anëtarja e shtabit emergjent, Bedrie Rama.
“Nga nëntë persona të testuar, dy prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Njëri prej tyre para dy dite ka ndërruar jetë, mirëpo rezultati na ka ardhur sot që ka qenë i infektuar me virus. I njëjti është testuar para se të ndërronte jetë, ai ka qenë në Klinikë Infektive dhe ka qenë nga qyteti. Me këtë të fundit, ka shkuar në shtatë numri i viktimave në Podujevë, të cilat kanë qenë edhe me sëmundje tjera kronike. Kurse, rasti tjetër është nga fshati Sfeçël, i cili është rast me burim të ri të infeksionit”, ka thënë ajo.
“Jemi në pritje të rezultateve të rreth 50 mostrave të testuara më 15, 16 dhe 17 korrik. Të gjithë këta që janë testuar janë në vetë-izolim shtëpiak. Tani i kemi 68 raste aktive me koronavirus. Pritet të rritet numri, por me intensitet të njëjtë. Sot i kemi testuar 10 qytetarë nga Podujeva. Kam bërë apel dhe po e përsëris që të reduktohen vizitat familjare, pasi që këto kanë ndikuar në rritjen e të infektuarve në këtë komunë”, ka thënë epidemiologia Rama.
Në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar edhe 145 raste të reja me virusin korona. Këto shifra dalin nga testimi i 562 mostrave më 17 korrik – njëherësh numri më i madh i testimeve të kryera brenda një dite, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars.
Siç ka njoftuar IKSHPK, edhe gjashtë pacientë kanë ndërruar jetë nga sëmundja që shkakton koronavirusi. Numri i të vdekurve tani ka arritur në 130. Më tej është bërë e ditur se janë shëruar 171 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 2.811.
Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5.617. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.676./Llapi.info






