Është rritur dukshëm numri i viktimave dhe raste të reja pozitive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Vetëm gjatë së premtes në këtë komunë 14 persona kanë rezultuar pozitivë për virusin korona.
Siç ka njoftuar Instituti, sot janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. 8 prej tyre janë në qytet, 2 në fshatin Bradash, 2 në Gllamnik dhe me nga një rast në fshatrat; Balloc dhe Batllavë.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama për Llapi.info ka thënë se ka shkuar në 26 numri i rasteve me fatalitet.
“Sot janë konfirmuar 14 raste pozitive me koronavirus. Deri më tani janë raportuar 26 raste të vdekjeve, ndërkohë që 177 raste tjera janë aktive”, ka thënë Rama.
Epidemiologia e vetme në Podujevë ka deklaruar se edhe 194 persona janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja, teksa numri i të shëruarve, sipas Ramës, ka arritur në 671.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se brenda 24 orëve, 12 pacientë me koronavirus kanë vdekur dhe janë regjistruar 728 raste të reja me këtë virus.
Sipas raportit të IKSHPK-së, rastet e reja dalin pas testimit të 1,827 mostrave. Në 24 orët e fundit, 60 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19.
Që prej marsit të këtij viti, e deri më 1 nëntor, Kosova ka regjistruar 22.934 raste me koronavirus. Prej tyre, 732 pacientë kanë vdekur dhe 15,981 janë shëruar, ndërkohë që raste aktive janë edhe 6.221./Llapi.info
Si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit. Me këtë rast, edhe Komuna e Podujevës është futur në karantinë gjatë këtij vikendi./Llapi.info