Edhe tri raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Podujevë, nga gjithsej 15 mostra të testuara, raporton Llapi.info.
Gjatë 24-orëve të fundit, pesë pacientë llapjanë janë shëruar nga sëmundja që shkakton koronavirusi, ndërkohë që ka shkuar në tetë numri i viktimave në këtë komunë. Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama. Sipas Ramës, rasti i fundit me fatalitet është nga fshati Bradash, i cili ka ndërruar jetë para dy dite, mirëpo rezultatet e testimit të bërë kanë dalë sot.
“Sot janë konfirmuar 3 persona pozitivë me COVID-19 në rajonin e Podujevës. Rastet pozitive janë; një rast nga fshati Surkish, një rast në fshatin Balloc dhe një rast në fshatin Bradash. Dy prej tyre janë me burim të ri të infeksionit dhe një është rast kontakti në familje. Ky rasti i Bradashit ka ndërruar jetë para dy dite, ka qenë 74-vjeçare që ka pasur edhe sëmundje shoqëruese. Tash për tash i kemi 65 raste aktive, pasi sot janë shpallur të shëruar pesë pacientë. Gjendja e të prekurve ka me gjendje më të rëndë, por ka që janë edhe në përmirësim. Testimet po vazhdojnë përveç të dielës”, ka thënë ajo.
Epidemiologia Rama ka apeluar tek qytetarët që të zbatohen me përpikëri masat mbrojtëse anti-covid.
“Qytetarët t’i zbatojnë rekomandimet si dhe të bartin maskat mbrojtëse dhe të ketë sa më pak vizita familjare. Nga 15 persona të testuar, 3 janë pozitivë, në krahasim me të testuarit s’është një përqindje e lartë. Me rastin e fundit me fatalitet, ka shkuar në tetë numri i viktimave në Podujevë dhe të gjithë kanë qenë me sëmundje tjera. Deri më tani, nga Podujeva janë testuar rreth 600 persona, prej tyre 127 kanë dalë pozitivë me COVID-19”, ka thënë Rama.
Në 24 orët e fundit, në Kosovë kanë vdekur pesë persona që kanë qenë të infektuar me koronavirus, ndërkaq autoritetet kanë regjistruar edhe 118 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.
Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 157 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 2.968.
Sipas këtyre të dhënave, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5.735. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.632./Llapi.info






