Pesë testime për virusin korona janë bërë sot në Komunën e Podujevës, një prej tyre ka rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton Llapi.info.
Rasti i ri është nga fshati Gllamnik, ndërsa i njëjti dyshohet se është infektuar në vendin e tij të punës. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.
“Sot janë testuar pesë qytetarë nga Komuna e Podujevës, prej tyre njëri ka dalë pozitiv me COVID-19. I infektuari është nga fshati Gllamnik. Sipas të dhënave që kemi marrë, burimi i infeksionit është në vendin e tij të punës. I njëjti është 51-vjeçar”, ka thënë Rama.
Anëtarja e Shtabit Emergjent në Podujevë ka konfirmuar shërimin e gjashtë pacientëve llapjanë nga sëmundja që shkakton koronavirusi.
“Të enjten janë shëruar edhe gjashtë pacientë nga Komuna e Podujevës. Të njëjtit janë të gjithë pjesëtarë të FSK-së. Tani i kemi 24 raste aktive në këtë komunë. Një pacient është liruar sot nga Klinika Infektive. Tash për tash në po këtë Klinikë i kemi edhe tre pacientë, kurse katër të tjerë në Pulmologji. Gjendja e tyre është mesatare, ndërsa të tjerët që janë në vetë-izolim shtëpiak gëzojnë shëndet të mirë”, ka thënë tutje ajo.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi sot se ka regjistruar 73 raste pozitive me virusin korona.
Po në këtë ditë, 63 pacientë janë shëruar nga sëmundja që shkakton koronavirusi, duke bërë që numri total i të shëruarve të arrijë në 1,707. Sipas IKSHPK-së, 1302 raste janë aktive.
Deri më tani, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar për 3,604 raste pozitive me virusin korona, që nga mesi i marsit kur janë regjistruar rastet e para. Prej tyre, 55 persona kanë ndërruar jetë./Llapi.info






