Vetëm në 24-orët e fundit në Podujevë janë konfirmuar me virusin korona edhe 24 raste të reja, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, rastet e reja janë 9 nga qyteti, 3 në Pakashticë të Epërme, 2 në Bajçinë dhe me nga një rast në fshatrat; Batllavë, Bradash, Dobratin, Gllamnik, Gërdoc, Llugë, Lupç i Poshtëm, Sallabajë, Sfeçël dhe Siboc i Epërm.
Po ashtu, sot janë shpallur të shëruar 21 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e tyre në 154, derisa aktualisht mbeten edhe 142 raste aktive.
Deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar 306 persona. Prej tyre, 9 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë, kurse janë testuar mbi 900 llapjanë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të dielën 245 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri, pas marrjes së 468 mostrave.
Sipas këtij Instituti, përgjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 13 pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus, duke çuar në total numrin e viktimave në 249.
Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 8.799, gjersa raste aktive vazhdojnë të mbeten edhe 3.687./Llapi.info






