Lumni Namani, babai i Veton Namani – i cili ndërroi jetë pak kohë më parë – ka thurur disa vargje prekëse për të birin e tij, shkruan Llapi.info.
“Shembje shpirti”, nis poezia e Lumniut, e cila ka prekur shumë njerëz nga Podujeva dhe jo vetëm.
Poezia e plotë:
Shembje shpirti
( Tim bir – Vetonit të bukur që iku n’amshim)
Nuk i dua më fare lulet e prillit
As fladin e ngrohtë në pranverë
S’dua t’ja dëgjoj më as këngën bilbilit
Pa ty engjëlli im kjo botë është skëterrë.
Ah jetë e padrejtë sa keq më godite…
Bash mu aty ku më së shumti dhemb
Më more djalëbukurin fare nuk prite
Nga dhimbja që kam shpirti m’u shemb.
Përse ishe për mua kaq e pa mëshirë?
Jeta larg Atdheut pak të dukej vallë?!
Përse më le mua kur më more tim bir?
Oh sa shumë ndjejë për të dashuri e mall…!
Shpirt edhe zemër në dysh m’i çave
Ah mortje e shkretë ti qofsh mallkuar!
Bimën nga shpirti përjetë ma ndave,
Për mua s’lind më diell – ai ka perenduar.
Ah tokë e shtrenjtë e Llapit tim
Ty të përgjërohem me një porosi!
Ruama djalin tim që ndërroi jetë n’mërgim!
Se është i ri, i njomë, ma mbaj but në gji!
Lumni Nimani
09. 09. 2022