Lokale - eSIMy

Në Komunën e Podujevës janë konfirmuar sot edhe shtatë raste të reja pozitive me virusin korona, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me nga dy raste janë në qytet dhe Gllamnik dhe me nga një në fshatrat; Kalaticë, Bellopojë dhe Dobratin.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama ka thënë se aktualisht aktivë me virusin korona janë edhe 77 qytetarë.

“Deri më tani janë bërë rreth 2 mijë testime për COVID-19 në Komunën e Podujevës, prej të cilëve rreth 600 kanë dalë pozitivë. Ndërkohë, 463 pacientë janë shëruar dhe 17 raste kanë përfunduar me fatalitet”, thotë Rama.

Epidemiologia e vetme në QKMF ka bërë të ditur se sot janë testuar edhe 30 persona, të cilët rezultatet pritet t’i marrin në ditët në vijim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Kujtojmë, Podujeva ka qenë ndër komuna e para në Kosovë me persona të infektuar me koronavirus, gjersa edhe viktima e parë ka qenë nga po kjo komunë.

Në anën tjetër, Kosovës të hënën i janë​ shtuar 85 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 432 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar pesë viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 568.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të hënën janë regjistruar edhe 97 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 2,993.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 14,204 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info