Në tri ditët e fundit, në Komunën e Podujevës janë konfirmuar mbi 60 raste pozitive me COVID-19, gjersa vetëm sot 16 persona kanë rezultuar të infektuar me këtë virus, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar Instituti, 10 raste janë në qytet, 2 në fshatin Dumosh dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Kërpimeh dhe Rakinicë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama për Llapi.info ka thënë se numri i personave aktivë me koronavirus tashmë ka kaluar shifrat në mbi 130.

“Sot janë konfirmuar 16 raste pozitive me virusin korona në rajonin e Podujevës. Me këto raste, tashmë i kemi 136 persona aktivë me këtë virus, ndërkohë që jemi në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja edhe për 70 mostra”, ka thënë Rama.

Epidemiologia e vetme në Podujevë ka deklaruar se numri i viktimave me këtë virus ka shkuar në 23, kurse numri i të shëruarve në 631. Rama ka konfirmuar se raste tjera pozitive nuk ka pasur në shkolla, dhe se gjendja në to po vazhdon të jetë stabile. Deri më tani gjithsej katër mësimdhënës dhe tre nxënës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Në anën tjetër, Policia në Podujevë ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba për shkelësit e masave anti-covid.

Që nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 2800 persona nga Podujeva. Prej tyre, rreth 800 llapjanë kanë rezultuar pozitivë.

Rasti i parë në këtë komunë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se brenda 24 orëve, shtatë pacientë me koronavirus kanë vdekur dhe janë regjistruar 337 raste të reja me këtë virus.

Sipas raportit të IKSHPK-së, rastet e reja dalin pas testimit të 1,318 mostrave. Në 24 orët e fundit, 91 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19.

Që prej marsit të këtij viti, e deri më 1 nëntor, Kosova ka regjistruar 20,179 raste me koronavirus. Prej tyre, 688 pacientë kanë vdekur dhe 15,611 janë shëruar, ndërkohë që raste aktive janë edhe 3.880.

Si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit, gjatë një mbledhjeje të mbajtur të dielën në formën online.

Ndër masat e reja është orari i punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit. Përkatësisht, ata do të mund të lëvizin nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore, ndërkohë që masat tjera mund t’i lexoni këtu./Llapi.info