Të premten në Kosovë, por edhe në Podujevë është regjistruar rekord i rasteve të reja me COVID-19, raporton Llapi.info.
Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit, në të komunë janë konfirmuar 61 raste pozitive për virusin korona, derisa në po këtë ditë është konfirmuar edhe një vdekje me COVID-19.
Siç ka njoftuar IKSHPK, 29 janë në qytet, 4 në fshatin Gllamnik, 3 në fshatin Bajçinë, me nga dy rastet në fshatrat; Bellopojë, Batllavë, Lladoc, Llapashticë e Poshtme, Majac, Sallabajë dhe Letanc dhe me nga një rast në fshatrat; Balloc, Dumnicë e Epërme, Dumosh, Kërpimeh, Lupç i Epërm, Metehi, Sfeçël, Shajkoc, Surkish, Tërnavë dhe Zakutë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 1 mijë. Ndëkaq, janë raportuar 28 viktima, derisa rreth 700 qytetarë janë shpallur të shëruar. Aktualisht janë mbi 200 raste aktive.
Si pasojë e rritjes së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obliliqit.
Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.
Në anën tjetër, Kosova ka shënuar 963 raste të reja me COVID-19, numër ky rekord që nga shpërthimi i pandemisë në mars të këtij viti. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se ky numër i personave të infektuar ka rezultuar pas 2,056 testimeve të kryera.
Brenda 24 orëve të fundit janë raportuar edhe 13 raste të vdekjes, ndërkaq 177 pacientë e kanë fituar betejën me koronavirus. Raste aktive aktualisht janë 10.191.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 27.851 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info






