Një qen, i cili dyshohet se i ka ikur pronarit nga një shtëpi, ka sulmuar nxënësit dhe disa qytetarë tjerë në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Për këtë çështje, Llapi.info ka kontaktuar me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, i cili ka shtuar se nxënësit e sulmuar, sipas tij, janë në gjendje të mirë.

“Me të marrë informatën, kemi vizituar nxënësit dhe për fat të mirë janë mirë e shëndosh – me lëndime të lehta. Sipas informatave, qeni ishte i shtëpisë. Nga ekipet profesionale është zënë qeni. I njëjti nuk i ka sulmuar vetëm nxënësit, por edhe qytetarët tjerë”, ka thënë Fetahu për Llapi.info.

Rasti ka ndodhur paraditen e sotme në shkollën “Fan S. Noli”, ku gjashtë nxënës kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmit nga qeni.

Sipas mjekëve në Qendrën Emergjente, fëmijët e kafshuar janë dërguar në Infektive dhe kanë marrë vaksinën kundër infektimit.

Llapi.info ka provuar disa herë të kontaktojë edhe me zyrtarët policorë për këtë çështje, por të njëjti, deri më tani, nuk kanë dhënë detaje.