Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pasi Prokuroria ka nisur hetimet ndaj tij në lidhje me pretendimet e ish-drejtorit të Inspektoratit, Besnik Mulliqi, i cili ka deklaruar se Bulliqi ka tentuar të e pengojë në kryerjen e punës së tij në lidhje me ndërtimet pa leje në Orllan, shkruan Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Bulliqi ka mirëpritur këtë hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta për këtë çështje.

“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje.  Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë”, ka shkruar ai.

Pasi Bulliqi e shkarkoi nga pozita e drejtorit të Inspketoratit, Besnik Mulliqin, ky i fundit ka reaguar me një sërë akuzash, duke e konsideruar një vendim skandaloz shkarkimin e tij.

Mulliqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se shkarkimi i tij erdhi pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Komuna e Podujevës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e drejtorit, Besnik Mulliqi, nga kjo pozitë.

Në një komunikatë për media, Komuna ka deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”./Llapi.info