Komuna e Podujevës pritet t’u ndajë një shumë të caktuar të të hollave qytetarëve të infektuar me sëmundjen që e shkakton virusi korona, shkruan Llapi.info.
Por, një gjë e tillë pritet fillimisht të miratohet një vendim në asamblenë komunale në një seancë të radhës, pikë kjo e rendit të ditës që është shtyrë. Arsyet që kanë çuar në shtyrjen e kësaj pike ka qenë pasi ish-pushteti (LDK), s’ka paraparë ndihma për qytetarët e infektuar me COVID-19 në buxhetin e miratuar për vitin 2021.
Në një përgjigje për Llapi.info, Komuna e Podujevës ka thënë se shefat e grupeve parlamentare pritet të diskutojnë për shumën që do t’u ndahet llapjanëve të prekur me virusin korona.
“Sa i përket çështjes së ndihmës së të prekurve nga Covid-19, arsyet pse është shtyrë për seanca të radhës kjo çështje është shkaku i mospajtimeve të këshilltarëve komunalë rreth shumës që duhet t’i ndahet dhe komplikimeve buxhetore që krijon kjo situatë, për shkak se qeverisja e kaluar nuk ka paraparë mjete buxhetore për këtë kategori kur është hartuar buxheti për vitin 2021. Për këtë gjë do të vendosin këshilltarët komunalë, e sa i përket shumës që do t’ju ndahet të prekurve me Covid-19, duhet ta harmonizojnë shefat e grupeve parlamentare në kuvend në koordinim me drejtorin e Buxhetit dhe Financave në bazë të mundësive buxhetore”, kanë thënë për Llapi.info nga Komuna e Podujevës
Iniciuesi që t’u dilet në ndihmë financiare të infektuarve me COVID-19 në Podujevë, këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli, ka thënë për Llapi.info se kjo parti do të jetë e gatshme për votimin e këtij vendimi.
“Ka mbetur për shqyrtim kjo çështje nga drejtoritë përgjegjëse pasi mundësitë buxhetore janë të limituara dhe rastet me COVID-19 janë rritur shumë në Podujevë. Mbetet të shihet se sa janë mundësitë buxhetore për t’u mbështetur kjo çështje. Ne kurdoherë që është në pyetje interesi i qytetarëve do i mbështesim në Kuvend”, është shprehur Hodolli.
Duhet theksuar se tashmë shumë Komuna në Kosovë kanë ndarë mjete buxhetore për qytetarët e prekur me koronavirus.
Ndërkohë, aktualisht në Llap janë mbi 200 raste aktive me virusin korona. Deri tash janë raportuar 46 viktima, kurse 3050 pacientë janë shpallur të shëruar./Llapi.info






