Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një person në Herticë të Podujevës, i cili me traktorin e tij po transportonte dru pa dokumentacion, shkruan Llapi.info.
Sipas PK-së, nga i dyshuari është sekuestruar sasia e drunjve, mirëpo gjatë procedimit, vëllai i të dyshuarit ka sulmuar zyrtarë policorë.
“Fsh. Herticë, Podujevë (NN:)13.11.2020-13:45. Njësiti policor kishte ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me dru zjarri të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, cili për sasinë e druve që e kishte qenë duke i transportuar nuk kishte dokumentacion përkatës as nuk kishin qenë të damkosura. I dyshuari së bashku me traktor dhe masën drusore është dërguar në ekonomin Pyjore në fsh. Peran të Podujevës, nga i dyshuari zyrtarët e Ekonomisë Pyjore kanë sekuestruar 2.8 metër kub dru shkoze dhe rasti trajtohet në procedurë të rregullt. Gjatë përfundimit të procedurave lidhur me rastin në atë vend kishte shkuar i dyshuari mashkull kosovar vëlla i të dyshuarit që ishte takuar me dru, i cili i kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarët policorë, i njëjti është arrestuar”, ka thënë PK.
Ndërkohë, një rast i ngjashëm ka ndodhur po ashtu në fshatin Merdare të kësaj komune.
“Rr. Merdarë- Podujevë (NN:)13.11.2020-09:00. Njësiti policor gjatë patrullimit në rrugë kishte hasur dhe ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me dru të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili për sasinë e druve që e kishte qenë duke i transportuar nuk kishte dokumentacion përkatës as nuk kishin qenë të damkosura. Nga i dyshuari zyrtarët e Ekonomisë Pyjore në Podujevë kanë sekuestruar 2 metër kub dru shkoze pastaj pas procedurave policore i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë tutje Policia e Kosovës./Llapi.info






