Gjatë 24-orëve të fundit në Komunën e Podujevës janë konfirmuar tre persona pozitivë për COVID-19, raporton Llapi.info.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 2 raste të reja janë nga qyteti dhe një rast nga fshati Dyz.
Numri i rasteve të reja dhe i atyre aktive po vazhdon të bie në Podujevë, ndërkohë që vetëm përgjatë kësaj jave që po lëmë pas janë konfirmuar rreth 60 raste pozitive.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama për Llapi.info ka thënë se numri i rasteve aktive ka rënë dukshëm, teksa ka shtuar se në bazë të rasteve të reja përgjatë kësaj jave, Podujeva, sipas saj, do të duhej të largohej nga zona e kuqe sa i përket rrezikshmërisë për COVID-19.
“Të dielën i kemi pasur vetëm tri raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht në të komunë aktivë janë edhe 265 qytetarë. Ndërkaq, numri i rasteve me fatalitet është 39”, ka thënë Rama.
Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 65 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
“Situata me COVID-19 është përmirësuar. Para një muaji kemi pasur 200 raste aktive më shumë, do të thotë mbi 450 raste aktive”, është shprehur Rama.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 2 mijë. Ndërkaq, janë raportuar 39 viktima, derisa 1757 pacientë janë shpallur të shëruar.
Qeveria e Kosovës ka thënë se masat e vendosura më parë të mbeten në fuqi edhe për disa javë të tjera.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, ku bënë pjesë edhe Podujeva.
Në anën tjetër, Kosovës të dielën i janë shtuar 215 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 1.012 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 4 viktima, duke bërë kështu që numri i tyre të arrijë në 1.309.
Sipas të dhënave të këtij Instituti, të dielën janë regjistruar edhe 428 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 9.749..
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 50.620 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 1.309 pacientë kanë vdekur./Llapi.info






