Deri më tani, pesë persona nga Komuna e Podujevës kanë ndërruar jetë, të cilët përveç sëmundjeve tjera kronike, kanë qenë të infektuar edhe me COVID-19, raporton Llapi.info.
Në këtë komunë, për një javë janë regjistruar edhe 43 raste të reja me virusin korona. Dje janë konfirmuar tri raste, të cilat janë raste të reja dhe s’i përkasin familjeve të infektuara më parë në këtë rajon.
“Tri raste janë konfirmuar dje, dy janë nga qyteti, kurse një nga fshati Tërnavë. Të gjitha janë raste të reja”, ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së dhe anëtarja e shtabit emergjent, Bedrie Rama.
Ndërkaq, për pak ditë katër pacientë kanë ndërruar jetë, duke çuar në pesë numrin e përgjithshëm në këtë Komunë. Me nga një rast vdekjeje janë nga fshatrat Llaushë, Shajkoc, Balloc dhe Letanc. Kurse, rasti i parë i ka qenë nga fshati Dumnicë. Të gjitha këta pacientë kanë qenë edhe me sëmundje tjera shoqëruese. Numri i rasteve aktive është 47.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 13 korrik, janë regjistruar në total 5,118 raste.
Prej tyre, 108 pacientë kanë vdekur, 2,370 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2,640./Llapi.info






