249 raste pozitive me virusin korona janë konfirmuar përgjatë kësaj jave në Komunën e Podujevës, derisa të dielën janë regjistruar 17 raste pozitive, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar Instituti, 8 prej tyre në qytet, me nga dy raste në fshatrat; Obrançë, Surkish dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Halabak, Orllan, Shajkoc dhe Shakovicë.
Rritja enorme e të infektuarve ka bërë që në këtë komunë numri i rasteve aktive të arrijë rekordin.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se aktualisht janë 438 persona aktivë me COVID-19.
“Sot janë konfirmuar 17 raste pozitive me virusin korona. Me këto raste, tashmë i kemi 438 persona aktivë me këtë virus, ndërkaq numri i të shëruarve ka arritur në 841”, ka thënë Rama.
Më tej, Rama ka theksuar se deri më tani janë raportuar 30 raste me falitelitet. Ajo ka deklaruar se edhe 100 persona janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Të premten, në mbledhjen e shtabit emergjent komunal, është thënë se aktualisht janë 55 mësimdhënës dhe 18 nxënës të prekur me COVID-19.
Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, majori Isak Ejupi, tha se zyrtarët policorë vazhdimisht janë në teren dhe po përkujdesen për zbatimin masave anti-Covid, në bazë të ligjit dhe vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Ejupi tha se brenda një muaji janë shqiptuar 496 gjoba ndaj personave që nuk kanë respektuar ligjin dhe masat për parandalimin e virusit korona.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit, dhjetë pacientë kanë vdekur me koronavirus dhe janë regjistruar 707 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus. Rastet e reja dalin pas testimit të 1,831 mostrave.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 550 pacientë, duke e çuar në 21,043 numrin e pacientëve të shëruar nga COVID-19.
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë që prej paraqitjes së pandemisë së koronavirusit është 34,295, prej të cilëve 914 pacientë kanë vdekur. Ndërkaq, numri i rasteve aktive është 12,338./Llapi.info






