Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se kanë nisur procedurat për ndërtimin e dy palestrave të reja sportive në Gllamnik dhe në Shkollën “Shaban Shala”.
Njoftimi i plotë:
Filluam procedurat për ndërtimin e dy palestrave të reja sportive në Gllamnik dhe në Shkollën “Shaban Shala”
Këtë javë e nisëm me lajme të mira për infrastrukturën sportive në shkollat tona. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal të premten e kaluar, për ndërtimin e palestrës sportive në oborrin e shkollës së fshatit Gllamnik, sot kemi inicuar procedurat e prokurimit për realizimin e këtij projekti.
Paralelisht me këtë, kemi hapur edhe procedurat për ndërtimin e palestrës sportive në oborrin e Shkollës Fillore “Shaban Shala”, projekt ky që do të realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Këto projekte dëshmojnë edhe një herë përkushtimin tonë për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve sportive në shkolla.
Urime nxënësve dhe mësimdhënësve të të dy shkollave, si dhe gjithë komunitetit!