Procesi i privatizimit të pronave shoqërore në Kosovë, është përcjellë me parregullsi të shumta. Nga privatizimi nuk shpëtuan as sipërfaqet e tokave bujqësore në pronë publike, e nga procesi i privatizimit të pronave shoqërore në Kosovë, pati çmime të ndryshme, madje në disa raste thuajse falas, raporton Llapi.info.

Në rajone të shumta të Kosovës çmimet ishin të ndryshme, ndërkohë që në disa ato ishin thuajse falas.

Në Komunën e Podujevës çmimet për një ari kanë qenë “për toke”. Për 19 euro e 98 centë janë shitur për ari 4 hektarë tokë në fshatin Llapashticë të kësaj komune.

Edhe në fshatin Dobërdol dhe Bajçinë 15 hektarë tokë janë shitur nga rreth 14 euro për ari.

Ndërkaq, në fshatrat Zakutë dhe Pakashticë 10 hektarë tokë bujqësore janë shitur 26 euro për ari. E 69 hektarë tokë në fshatin Shajkoc ishin blerë nga 19 euro për ari.

Përveç këtyre, raste të ngjashme të shitjes së tokës me çmim shumë të ulët ka pasur edhe zona tjera të kësaj komune.

Procesi i privatizimit në Kosovë që ka nisur 17 vite më parë ka përfunduar në një Komision hetimor parlamentar. Ky Komisioni është duke e hetuar procesin e privatizimit i nisur në vitin 2003 nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), që u pasua në vitin 2008 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Një nga dëshmitarët i cili ka deklaruar në Komision hetimor parlamentar është ish-kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatzimit, Blerim Rexha. Ai ka deklaruar për parregullsi në privatizimin e aseteve publike.

Në një rast të privatizimit të tokave ai ka thënë se 50 hektarë tokë publike, janë shitur për 5 mijë euro, që i bie se 1 ari tokë është shitur për 1 euro.

Pjesë e ktyre skandaleve në privatizim të pronave publike janë edhe politikanë të shumtë kosovarë./Llapi.info