Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Një rast i tillë i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur në Podujevë.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka raportuar një 54-vjeçar, i cili ka deklaruar se vetura e tij është zhdukur nga parkingu i një qendre tregtare në rrethana ende të paqarta.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, ankuesi F.V, rreth 54-vjeçar ka raportuar se mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, e kishte parkuar veturën e tij VW Caddy, ngjyrë e bardhë, në parkingun e Qendrës Tregtare Park Plaza, në rrugën Zahir Pajaziti.

Mirëpo, vetëm disa orë më vonë, ai ka vërejtur se vetura nuk ndodhej më në vendin ku ishte lënë.

Pas denoncimit në Polici dhe intervistimit të palës, është vendosur që rasti të trajtohet si “Vjedhje”.

Aktualisht, nuk ka të dyshuar të identifikuar dhe rasti është nën hetim nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.