LDK akuzon Bulliqin se ka nisur një fushatë hakmarrjeje e qërim hesapesh me shërbyesit civilë

LDK, e cila mbajti pushtetin në Podujevë që nga paslufta deri në vitin 2020, kur kandidati i VV-së Shpejtim Bulliqi fitoi garën e zgjedhjeve lokale për t’u bërë kryetar komune, është duke u përpjekur që ta hedh në dritën e opinionit një fenomen që sipas saj po ndodh kohëve të fundit në komunë, që ka të bëjë me hakmarrje dhe qërim të hesapeve politike me stafin e vjetër.

Siç kupton Gazeta Express, transferimi i punëtorëve në pozita të reja pa bazë ligjore, ka hapur probleme edhe mes ekzekutivit të komunës, dhe vetë drejtori i Inspeksionit, Besnik Mulliqi ka refuzuar t’i nënshkruajë kërkesat e nënshkruara nga Bulliqi.

Siç kuptohet, për ta tejkaluar këtë “pengesë”, Mulliqi është udhëzuar të shkojë në “pushim”, në mënyrë që vendimet t’i nënshkruaj ushtruesi i detyrës së drejtorit Bahri Selimi, i cili shërben si drejtor i Shërbimeve Publike.

Me t’u nënshkruar vendimet, bëhet e ditur se Bulliqi ka udhëtuar për pushime drejt bregdetit, duke e lënë një situatë kaotike në administratë.

Një reagim të ashpër e ka bërë pak ditë më parë edhe kryetari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i cili ka thënë se qeverisja e re ka harruar ta nis punën dhe në vend të kësaj po e përdor pushtetin për përndjekjen e punonjësve të stafit komunal.

“Qeverisja e proklamuar si e ndryshimit që nga dita e parë e këtij mandati ka harruar të fillojë me punë, por është duke përdorur pushtetin si mekanizëm të përndjekjes dhe qërimit të hesapeve personale e politike me shërbyesit civilë. Njëjtë është vepruar edhe me punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë, por ajo që ka kaluar në përmasa shqetësuese është gjendja e krijuar në komunë, ku punëtorët e administratës, po degradohen e poshtërohen përditë. Ata po ndëshkohen dhe transferohen pa kurrfarë baze dhe në kundërshtim të plotë me rregullativën ligjore për këtë çështje”, ka shkruar Hyseni.

Sipas tij, pushteti i VV-së në Podujevë, po transferon punëtorë në sektorë të ndryshëm, ku mungon përgatitja dhe eksperienca e tyre.

“Si askund tjetër, në qeverisjen e LVV në Podujevë, zyrtari që deri dje ka shërbyer në sektorin e shëndetësisë, tranferohet në inspeksion, inxhinieri në kulturë, zyrtari i lartë në pranues të ankesave, zyrtari i prokurimit në gjendje civile, inxhinierët në zyrën pritëse, ndërsa zyrtarët e shërbimeve publike, konvertohen në inspektorë të ndërtimit e ambientit. Se kemi të bëjmë me paranoja, hakmarrje e ndëshkim e dëshmon fakti se këto vendime po nxirren direkt me nënshkrimin e kryetarit të komunës, e jo sipas procedurave që parashihen me Ligj. Si pasojë e këtyre veprimeve po ndodhin edhe ndryshime të shpeshta në ekzekutiv”, ka vazhduar ai.

Hyseni ka shkruar se disa njerëz po ikin vetë, që të mos bëhën marioneta të pushtetit të Bulliq.

“Njerëzit e vullnetit të mirë po ikin duke mos pranuar të bëhen marioneta të kësaj kaste famëkeqe, e cila përmes presionit, e shantazhit ndaj shërbyesve civil po mundohet t’i kryej obligimet e dhëna në netët e fundit të fushatës. Llapi nuk ka qytetarë të rendit të parë dhe të dytë, ata janë të barabartë dhe të respektuar. Prandaj, njerëzit e ndershëm, shërbyesit civilë, punëtorët e arsimit e shëndetësisë nuk e pranojnë këtë, të jeni i bindur! Andaj, duke parë gjithë këto zhvillime të turpshme të papranueshme dhe të patolerueshme, ftoj edhe sindikatat e punëtorëve të reagojnë, e të mos lejojnë nepërkëmbjen e anëtarëve të tyre, gjë të cilën e kanë edhe obligim”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka garantuar se LDK do të jetë në dispozicion dhe në përkrahje të punëtorëve të sektorit publik.

“Ndërsa faktet që posedojmë, mbi procedurat e zhvilluara nëpër drejtori, e deri te nxjerrja e vendimeve për ndëshkim e transferim do t’i dorëzojmë edhe në organet e rendit, sepse ato flasin për shkelje të rënda. Në këtë angazhim, ftojmë edhe mediat dhe shoqërinë civile të bëhen pjesë, duke luftuar për një administratë publike efikase dhe të pavarur nga secili ndikim. Bashkë me secilin person që është objekt i kësaj ndërmarrje të frikshme antiligjore dhe me kolegët e tyre, të cilët ky fat i pret nesër nuk do të lëmë formë të reagimit pa përdorë, në mënyrë që të mbrohet integriteti i punëtorëve të sektorit publik”, ka shkruar në fund Hyseni.