Tetë qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar sot për COVID-19, një prej tyre ka rezultuar pozitiv, raporton Llapi.info.
Rasti i ri është rast kontakti, ndërsa i njëjti është pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK). Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Sipas Ramës, i njëjti është nga fshati Bradash.
“Nga tetë qytetarë nga Komuna e Podujevës të testuar për COVID-19, një rast ka dalë pozitiv. Ky është rast kontakti dhe është pjesëtar i FSK-së. Burimi i infeksionit është në vendin e tij të punës, në kazermën ushtarake. I njëjti është nga fshati Bradash”, ka thënë Rama.
Më tej, Rama ka thënë se numri rasteve aktive në Podujevë ka shkuar në 20, derisa vetëm dy pacientë janë Klinikën Infektive.
“Tash për tash i kemi 20 raste aktive me virusin korona në Podujevë. Gjendja e tyre është e mirë, përveç njërit që e ka gjendjen më të rëndë dhe i njëjti është dërguar sot në Klinikën Infektive. Kurse, një tjetër pacient e kemi në Pulmologji”, ka thënë ajo.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar të premten edhe 62 raste të reja me COVID-19.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Instituti, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 61 persona duke e çuar numrin e të shëruarve nga sëmundja COVID-19 në 1.307.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,494 raste me virusin korona. Prej tyre, 44 pacientë kanë vdekur, e që të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info