Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur sot edhe për 14 raste të reja me virusin korona në Podujevë. Siç thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, rastet e reja janë nga qyteti 5, Gllamnik 2 dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Dumnicë e Poshtme, Llugë, Obrançë, Pakashticë e Epërme dhe Zakut. raporton Llapi.info.

Numri i rasteve aktive tani në këtë komunë ka arritur në 105 – njëherësh shifra më e lartë e personave aktivë deri më tani në Llap. Shumica prej rasteve të reja, të cilat janë regjistruar sot, janë me burim të ri të infeksionit. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“17 qytetarë janë testuar dje, ne jemi të njoftuar vetëm për 11 persona me emra dhe mbiemra që kanë dalë pozitivë për COVID-19. Jemi në pritje të 20 mostrave të testuara sot dhe s’jemi më në pritje të mostrave të që janë testuar ditë më parë, përveç testimeve të bëra sot. Deri më tani, i kemi tetë persona nga kjo komunë që kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Me rastet e sotshme, ka shkuar në 105 numri i rasteve aktive në Podujevë”, tha Rama.

Duhet theksuar se numri i rasteve në Podujevë javët e fundit është rritur ndjeshëm, për çka është vendosur që nga sonte të ndalohet qarkullimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në këtë komunë. Patrulla të shtuara të Policisë janë parë sot rrugëve të kësaj komune.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 200 persona. Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë.

Edhe 239 raste me koronavirus dhe shtatë viktima u konfirmuan të martën në Kosovë, ka bërë ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 7,652. Prej tyre, 192 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së mbesin 3.331./Llapi.info