Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur për dy raste me virusin korona në Podujevë, raporton Llapi.info.

Të dy këto raste janë të reja, ndërsa nuk i përkasin kontakteve të pacientëve tashmë të konfirmuar me COVID-19 në këtë komunë. Në lidhje me këtë, epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama, ka theksuar njëri rast është nga fshati Siboc, kurse tjetri afër qytetit të Podujevës.

“Kemi marrë konfirmimin edhe për dy raste të reja me COVID-19. Njëri rast është në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë, ndërsa tjetri në fshatin Siboc. Për këto dy raste s’jemi të njoftuar se kanë pasur kontakt me familjarë. Ky rasti i Sibocit dyshohet se ka qëndruar në spital dy javë ditë dhe është duke marrë terapi, e që dyshohet se është rast nga Klinika. Të dhënat i kemi marrë dhe s’kanë kontakte në familje. Rasti tjetër i konfirmuar është në rrugën “Ali Ajeti”, i cili punon në Fushë-Kosovë”, ka thënë Rama për Llapi.info.

Epidemiologia Rama ka deklaruar se është dorëzuar lista e personave që pritet t’u nënshtrohet testimeve nga Komuna e Podujevës.

“Listën e kemi dorëzuar dhe e kemi bërë për rreth 100 persona, mirëpo na është kthyer lista për t’i reduktuar, për arsye se për këta që s’kanë simptoma të mos testohen, por vetëm ata që japin shenja dhe kanë sëmundje kronike”, ka thënë ajo.

Më tej, Rama ka shtuar se në Podujevë ende s’është shëruar ndonjëri prej pacientëve të infektuar me COVID-19, derisa numri i rasteve aktive ka shkuar në 20.

“Nuk ka të shëruar. Pesë persona që kanë rezultuar para tri jave me virusin korona, në testimin e dytë kanë dalë sërish pozitivë, ndërkohë që kemi bërë kërkesë që t’u nënshtrohen sërish testimeve. Me këto të sotmet, ka shkuar në 20 numri i të infektuarve aktivë në Podujevë”, ka shtuar ajo.

Sipas Ramës, gjendja e të infektuarve është e mirë dhe stabile. Ajo ka apeluar tek qytetarët që t’i zbatojnë masat parandaluese të COVID-19.

IKSHPK ka regjistruar 82 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 456 mostrave. Krahas rasteve të reja, sot janë shëruar shtatë pacientë, duke e çuar në 980 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit, që prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 më 13 mars, e deri më sot, janë regjistruar 1,998 raste. Prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur, të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruse./Llapi.info