17 qytetarë nga Podujeva janë testuar për virusin korona, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, raporton Llapi.info.
Të gjitha këto raste janë me burim të ri të infeksionit dhe të njëjtit s’i përkasin familjeve të infektuara më parë në këtë komunë. Me rastet e regjistruara sot, ka shkuar në 80 numri i rasteve aktive në Podujevë – njëherësh numri i madh i personave aktivë deri më tani në këtë rajon.
Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se nga rastet e së shtunës ka që dyshohet se janë infektuar në pushime në Shqipëri.
“17 mostra janë testuar në Podujevë, 9 prej të cilave kanë dalë pozitive me COVID-19. Pesë prej tyre janë nga qyteti i Podujevës, kurse me nga një rast nga fshatrat; Dumnicë, Gllamnik, Lluzhan dhe Lupç. Burimet e tyre janë të reja dhe s’janë raste kontakti. Prej informatave të marra, ka që janë kthyer prej pushimeve nga Shqipëria që dyshohet se janë infektuar atje, por ka edhe që janë infektuar në punë në Prishtinë”, ka thënë ajo.
Epidemiologia dhe koordinatorja e shtabit emergjent komunal, Bedrie Rama thekson se do të nisë testimi i të gjithë personave që janë në dializë, edhe nëse të njëjtit s’kanë simptoma. Sipas Ramës, shqetësuese mbetet fakti që nuk janë duke u zbatuar masat parandaluese ndaj COVID-19.
“Numri i rasteve aktive me këto të sotit është 80. Në përgjithësi, i kemi 96 të shëruar, tetë të vdekur. Katër pacientë i kemi në Klinikën Infektive, ka prej tyre që janë me gjendje më të rëndë. Sot i kemi testuar 18 persona, do t’i testojmë të gjithë personat që janë dializë pa marrë parasysh se a kanë simptoma dhe të tjerët që janë me simptoma. Numri i rasteve pritet të rritet, për arsye se nuk janë duke u zbatuar rekomandimet prej qytetarëve, pasi një javë më pas ka nisur të mos respektohen masat parandaluese. Njëkohësisht, apeloj te qytetarët që të paktën maskat t’i bartin në punë dhe çdo kund tjetër pasi virusi është agresiv”, thotë Rama.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar 186 persona. Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë.
Ndërkohë, në Kosovë u regjistruan në 24-orët e fundit edhe pesë viktima nga sëmundja që shkakton koronavirusi dhe 213 raste të reja pozitive, nga testimi i 555 mostrave.
Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 109 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 3.735. Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 6.917. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.995./Llapi.info






