Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur sot edhe për pesë raste të reja me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Sipas IKSHPK-së, dy raste janë në qytet dhe me nga një rast në fshatrat; Gllamnik, Dumnicë e Poshtme dhe Surkish.
Krahas rasteve të reja, sot janë shpallur të shëruar edhe 16 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e tyre në 390. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.
“Sot janë konfirmuar pesë raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 98 rasteve pozitive, ndërkohë që sot janë shpallur të shëruar 16 pacientë”, ka thënë Rama.
Epidemiologia dhe koordinatorja e shtabit emergjent ka shtuar se edhe 35 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja.
Që nga rasti i parë pozitiv më 15 mars, deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar rreth 500 llapjanë. Në Klinikën Infektive dhe QKMF-në e Podujevës janë testuar mbi 1.500 qytetarë. Institucionet shëndetësore në këtë komunë janë të njoftuar zyrtarisht për 14 raste me fatalitet, të cilët përveç se kanë qenë të infektuar me virusin korona, të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24 orët e fundit 4 persona të vdekur me koronavirus, duke e çuar numrin total të viktimave në 492.
Të dhënat e së mërkurës kanë treguar edhe për 157 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 511 mostrave.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për 12.840 të infektuar me këtë virus. Deri më tani janë testuar gjithsej 48.743 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2./Llapi.info