Tri raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Komunën e Podujevës, nga gjithsej 19 testime të bëra në këtë rajon, raporton Llapi.info.
Rastet e konfirmuara janë të reja, ndërkohë që s’i përkasin kontakteve të të infektuarve më parë në këtë komunë. Dy raste janë nga fshati Revuçë, kurse tjetri nga qyteti i Podujevës. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
“Sot kanë dalë rezultatet për 19 qytetarë nga rajoni i Podujevës. Prej tyre, 3 kanë rezultuar pozitivë. Dy janë nga fshati Revuçë në një familje, kurse tjetri në qytet. Këto raste s’kanë të bëjnë më këto familje tjera që janë konfirmuar javë më parë me virus. Po dyshohet se janë infektuar në vendin e punës, por që informatat ende s’i kemi më gjerësisht”, ka thënë ajo.
Epidemiologia Rama ka theksuar se ka rënë numri i rasteve aktive në Podujevë, gjersa tani janë 18 persona aktivë me virusin korona.
“Pesë pacientë të konfirmuar javë më parë me virus sot janë shëruar. Tani i kemi 18 raste aktive në Podujevë. Jemi në kontakt me të infektuarit dhe gjendja e tyre është e mirë dhe stabile. Vetëm një pacient e kemi në Klinikën Infektive, me këtë të fundit kam folur pak më parë dhe i njëjti është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë Rama.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se të hënën janë konfirmuar edhe 47 raste me COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, sipas IKSHPK-së edhe 22 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 1,069.
Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2.216 raste me COVID-19, prej të cilëve 1069 janë shëruar ndërsa 37 kanë vdekur./Llapi.info