15 raste të reja dhe 15 të pacientë të shëruar nga koronavirusi – është bilanci i së enjtes në Podujevë, raporton Llapi.info.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), rastet e reja janë; 6 nga qyteti dhe nga një rast në fshatrat; Bradash, Llapashticë e Epërme, Dumnicë e Epërme, Dumosh, Lupç i Poshtëm, Obrançë, Revuçë, Sallabajë dhe Sfeçël. Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se burimi i infeksionit është i ri në shumicën e rasteve të sotshme.
“Sot janë konfirmuar edhe 15 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Rastet e reja janë nga qyteti dhe fshatrat e kësaj komune. Shumica prej tyre janë me burim të ri të infeksionit. Dy prej tyre janë punëtorë shëndetësorë, por që të njëjtit kanë qenë në pushim vjetor dhe s’janë infektuar në vendin e punës. Jemi në pritje të mbi 35 mostrave, derisa sot i kemi testuar 23 qytetarë. Tash i kemi 112 raste aktive, pasi sot janë shpallur të shëruar 15 pacientë. ”, ka thënë Rama.
Epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama ka apeluar te qytetarët që t’i ndjekin rekomandimet e IKSHPK-së për mbrojtje nga pandemia.
“Vizita familjare, jo vetëm për festë, kisha apeluar që ketë sa më pak. Në shumicën e rasteve që kemi marrë për burime të infeksionit kanë qenë përmes vizitave familjare. Në këtë kohë që jemi, urimet të bëhen përmes telefonit”, ka thënë Rama.
Që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë, deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar 249 persona. Prej tyre, 8 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka raportuar të enjten për 16 persona të vdekur si pasojë, duke e çuar numrin e viktimave me COVID-19 në 212.
Ky Institut ka njoftuar edhe për 258 raste të reja të të infektuarve pas marrjes së 480 mostrave, si dhe për 196 pacientë të shëruar brenda një dite. Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 8,104. Prej tyre, 4,463 persona janë shëruar, ndërsa raste aktive mbesin edhe 3.420./Llapi.info






