Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes.

Por në shumë raste, viktima janë edhe prindërit, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një konflikt familjar ka ndodhur dje në Podujevë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij dhe xhaxhain.

Sinjali mëson se prindërit e të dyshuarit kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku kanë deklaruar se 22-vjeçari ishte nën ndikimin e narkotikëve dhe kishte sjellje shumë agresive ndaj tyre. Po ashtu në zënkë është përfshirë edhe djali tjetër i familjes, i cili në prezencë të zyrtarëve policorë ka kërcënuar me jetë xhaxhain e tij, duke thënë se do ta vrasë dhe do ta djegë për së gjalli.

22-vjeçari ka marrë edhe ndihmë mjekësore, ndërkohë që është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Po ashtu nga hetuesit policorë është intervistuar edhe i dyshuari i dytë, 19-vjeçar, i cili do të hetohet për veprën penale ‘Kanosje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor.