Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2022, shkruan Llapi.info.
Pasurinë e tyre e kanë raportuar edhe kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtorë të Drejtorive dhe këshilltarët komunalë.
Në deklarimin e tij, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka raportuar se në pasurinë e paluajtshme ka shtëpi 120 metra katrorë në vlerë prej 25 mijë eurove. Tokë të përbashkët 30 mijë euro dhe banesë të blerë nga kursimet 56 mijë euro.
Bulliqi, në pasuri të luajtshme, ka thënë se ka dy vetura të përbashkëta, një e tipit “Tiguan” në vlerë prej 16 mijë eurove, “Golf IV”, 4 mijë euro.
Më tej, Bulliqi ka thënë se ka mbi 60 mijë euro para të kursyera në banka. Prej tyre, 11 mijë janë të bashkëshortes, kurse të tjerat të përbashkëta.
I pari i Podujevës ka deklaruar se punon kryetar komune me pagë 1 mijë e 600 euro, kurse 600 euro i merr nga Universiteti i Prishtinës, ku punon si profesor me honorar.










