Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhjen e jashtëzakonshme, të thirrur nga opozita, ku është diskutuar për dëmet e shkaktuara në bujqësi nga vërshimet dhe breshëri, raporton Llapi.info.
Në këtë seancë është debatuar gjerë e gjatë, por që në fund pozitë e opozitë s’u dakorduan për një konkludim të përbashkët. Këshilltarët opozitarë kërkuan që të formohet një komision ku do të bënin pjesë edhe ata, mirëpo kjo s’u përkrah nga partia në pushtet (LDK), me ç’rast kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi as që e hodhi në votim. Këtë veprim, këshilltarët e VV-së e kanë quajtur jodemokratik dhe arbitrar.
Iniciuesi i kësaj seance ka qenë këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli, i mbështetur edhe nga asamblistët e tjerë të opozitës.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Vezir Januzi ka potencuar se dëmet nga reshjet e fundit janë të mëdha, gjersa siç ka thënë ai, kompensimet kanë nisur për fermerët e dëmtuar.
“Dëmet nga reshjet dhe kushtet atmosferike në Llap janë të konsiderueshme. Me qindra ton prodhime vendore janë derdhur në mbeturina edhe për shkak të pandemisë. Ne kemi dalë në terren. Komisioni lokal për vlerësimin e dëmeve, i ngritur nga Komuna e Podujevës ka vlerësuar dëmet e shkaktuara. Totali i këtyre dëmeve të paraqitura, pa rastet e fundit është 316,461 euro. Listat janë dërguar në MBPZHR dhe të njëjtat sipas vendimeve të ministrisë po kompensohen”, ka thënë Januzi.
Januzi tha se dëmet më së shumti ka pasur në fshatrat; Sfeçël, Siboc, Konushec, Buricë, Penuhë, Lupç dhe fshatrat e tjera nga kjo ane.
Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim Faik Muçiqi, tha se kjo drejtori në vazhdimësi ka në prioritet investimet që ndikojnë në ndalimin e dëmeve nga vërshimet, përfshirë zgjerimin e shtretërve të lumenjve, kanaleve të ujit, ndërtimin e urave dhe investimeve tjera për këtë qëllim.
Por, përkundër kësaj, këshilltarët kërkuan nga ai dhe komunarët tjerë që të vazhdohet të bëhet investime, siç kanë thënë ata, aty ku duhet për t’i parandaluar vërshimet e mundshme. Ata kanë thënë se si pasojë e neglizhencës së komunës, po ka vërshime në shumë pjesë.
Të njëjtit kërkuan nga komunarët më shumë investime në digat dhe shtretërit e lumenjve, në mënyrë që të evitohen vërshimet e mundshme.
Pajtim Balaj i VV-së propozoi që të krijohet një Komision i përbërë edhe nga asamblistët, të cilët do t’i verifikonin dëmet dhe të bënin subvencionimin e tyre. Por, ky propozim u “injorua” nga kryesuesi i Kuvendit, duke mos e hedhur fare në votim për çka edhe reaguan këshilltarët e kësaj partie, duke e quajtur vendim arbitrar.
“Kolegët nga LDK, të cilët vuajnë nga autoritarizmi brendapartiak nuk guxuan ta votojnë këtë deklaratë me të vetmen arsye se është e propozuar nga LVV. Për më keq, kryesuesi i kuvendit ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë seancë duke mos hedhur në votim propozimin e LVV (i cili e pati përkrahjen e gjithë opozitës) përkundër se e ka për obligim ligjor dhe procedural ta hedhë në votim, dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër vlerësimi mbi të, kështu duke e vënë Kuvendin Komunal, në mënyrë arbitrare, në kundërshtim me ligjin, sikurse në regjime totalitare, në funksion te interesave private të një grupi brenda partisë së tij. Nga gjithë kjo situatë, humbës dalin fermerët llapjanë”, ka shkruar në Facebook, Lirika Maliqi.
Pas diskutimeve, në Kuvend u miratuan nga partia në pushtet (LDK), dy propozimet e drejtorit të DBPZHR, Vezir Januzi që: të gjitha dëmet e shkaktuara të adresohen në MBPZHR me qëllim të kompensimit të tyre dhe; në buxhetin e Komunës për vitin 2021të planifikohet buxhet për kompensimin e dëmeve, në formë të subvencioneve./Llapi.info






