Isuf Pollomi është njëri nga emrat më të spikatur të atdhedashurisë në trojet e Llapit.
Gjatë luftimeve në Kroaci, Isufi iu bashkua forcave kroate kundër ushtrisë serbe. Në këto luftime përveç që i ndihmoi kroatët ai fitoi një përvojë të mirë ushtarake e cila më vonë i shërbeu në luftën çlirimtare të Kosovës.
Me t’u kthyer në Kosovë, Isufi më 15 janar 1999 hyri në radhët e Njësitit “Kështjella – 37” të UÇK -së, në Herticë. Fillimisht shkoi në Llapashticë të Epërme ku qëndroi 14 ditë dhe pastaj iu kthye vendlindjes së tij Herticës me detyrë për mobilizimin e popullatës në luftën për liri.
Kishte marrë pjesë në ushtrimet ushtarake që ishin mbajtur në Quk të Batllavës si pjesëtar i togut të Brigadës 151 “ Zahir Pajaziti”.
Bashkëluftëtarë të tij të ngushtë ishin: Sabri Hamiti, Hamdi Pollomi, Zajnullah Zejnullahu, Dalip Llalloshi, Tahir Batatina, Idriz Pollomi etj.
Isufi mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në fshatrat e anës juglindore të Llapit, njëherësh në mbrojtje të popullatës që në ato kohë ishte strehuar në këto anë. Më e njohura ndër betejat e kësja ane ishte ajo që u zhvillua në vendin e quajtur “Livadhet e Muçollëve”.
Në radhët e familjes së dëshmorit në luftën për liri ka rënë edhe i vëllai i dëshmorit, Skënderi. Ai përkujdesej për popullatën që ishin të vendosur në këto anë dhe në ditën e rënies nga fshati Albanik kishte shkuar në Herticë për të siguruar ushqim për popullatën e sidomos për fëmijët e mbetur pa qumësht. Atje ishte kapur nga forcat paramilitare serbe te Ura e Zeqajve, së bashku me kushëririn e tij Raif Pollomi, të cilët ishin dërguar te Lagjja e Llalloshve duke kërkuar nga ata që të tregojnë për ushtarët e UÇK-së. Ata u kishin prezantuar disa foto dhe kërkonin t’i identifikonin personat e fografuar, por pa sukses. Pasi militarët serbë nuk mundën të nxjerrin asgjë nga ta, i pushkatuan në oborrin e Xhemail Haxhiut, më 2 maj 1999. Pas disa ditëve këta dëshmorë u rivarrosën në varrezat e Lagjes së Pollomëve në Herticë.
Gjatë muajit prill 1999, me qëllim që të arrijnë te popullata e strehuar në këto anë, forcat serbe ndërmorën ofensiva të fuqishme por ushtarët e UÇK-së nuk u mposhtën. Gjatë këtyre ofensivave u ekzekutuan shumë qytetarë në rajonin e Galabit që përfshin edhe fshatrat Herticë, Surdull, Turuqicë, Rakinicë e Muhazob. Forcat kriminale serbe të cilat ishin të pajisura me teknikë luftarake, të revoltuara dhe të irrituar nga humbjet që pësuan aso kohe nga njësitet e UÇK-së, kishin filluar hakmarrjen në popullatën civile e cila ishte e vendosur në rajonin e Herticës, për të shpëtuar nga gjenocidi dhe masakra serbe.
Forcat militare serbe pasi granatuan fshatrat e këtij rajoni për të dëbuar popullatën civile dogjën fshatrat e tëra dhe ekzekutuan këdo që arritën ta kapin, ndër të cilët edhe njërin prej vëllezërve të Isufit me disa kushërinj të tij për të vrarë më pas edhe bagëtinë e fshatit dhe djegur edhe shkollën e fshatit. Ofensivat serbe për të thyer rajonin e Herticës dhe të Surdullit kanë zgjatur shumë ditë rresht duke u përballur me njësitet vetëmohuese të UÇK-së.
Më 15 prill të vitit 1999 u zhvillua një betejë e ashpër kundër forcave të UÇK-së, ku Isufi ishte në vijën e parë të frontit. Në këto luftime forcat çetnike pësuan humbje të dukshme. Isuf Pollomi, po në këtë betejë të përgjakshme më 15 prill 1999, në orën 15 bie në fushën e nderit duke u vënë në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së dhe të popullatës civile.
Bashkëluftëtarët e Isufit brenda pak orësh arrijnë të hakmerren për dëshmorin, duke lënë të vrarë paramilitarë dhe disa çetnikë serbë.
Varrimi i dëshmorit ishte bërë në fshatin Herticë në varrezat e lagjes së Pollomëve.
Isufi ka qenë i martuar dhe ka lënë fëmijët: Lirimin, Lulëzimin dhe Zyrafeten. Pas vetes la edhe prindërit, Sherifen dhe Hajrën, katër vëllezërit dhe tri motrat. Për jetën dhe veprën e tij janë botuar shumë shkrime në gazeta dhe revista të ndryshme si dhe në librat e shkruar për luftën dhe dëshmorët e UÇK-së në ZOLL-it. Pas luftës familja Pollomi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga UÇK-ja, ZOLL-i, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj. (M. K.)







