Lokale - eSIMy

Në 24-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Besnik Restelica janë bërë homazhe pranë varrit të tij, njofton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se homazhet i ka bërë bashkë me zyrtarë komunalë, familjarë të heroit e bashkëveprimtarë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Në 24 vjetorin e rënies, së heroit të kombit Besnik Restelica, sot janë organizuar homazhe dhe janë vendosur lule te varri i tij në Podujevë, bashkë me zyrtarë komunalë, familjarë të heroit e bashkëveprimtarë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës. Me rastin e shënimit të 24-vjetorit të rënies së heroit Besnik Restelica, i cili ra dëshmor më 23 shkurt 1997 nga torturat çnjerëzore që ushtruan mbi të nga inspektorët dhe hetuesit policorë për 25 ditë rresht gjatë mbajtjes në burgim, Besniku i takon brezit të djemve dhe vajzave shqiptare që, krahas studimeve, kryefjalë të aktivitetit të tyre kishin veprimtarinë patriotike dhe rezistencën ndaj pushtuesit serb në vitet 90’ta”, ka shkruar Bulliqi.

“Duke përkujtuar veprimtarinë atdhetare dhe rreshtimin e Besnikut në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga themelimi i grupeve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besniku ra për të mos vdekur kurrë, sepse rënia për lirinë e vendit është rilindja vetë. Falë luftës çlirimtare, sakrificës dhe flijimit të bijve dhe bijave më të mira të kombit tonë, ne sot jemi këtu për të shënuar përvjetorët e lavdisë sonë. Jemi këtu për të nderuar jetën dhe flijimin e Besnikut, i cili me vetëdije të plotë zgjodhi rrugën e flijimit për lirinë e vendit”, ka shkruar ai.

“Përvjetorët si ky, përveç nderimit të së kaluarës, na shërbejnë edhe si udhërrëfim për të ardhmen. Dëshmorët janë ndërgjegjja e atdheut, kurse nderimi më i madh për ta është angazhimi ynë për të ndërtuar një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe me institucione demokratike që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të saj.  Në shënimin e këtij përvjetori ishin të pranishëm edhe ish-deputetë të Kuvendit dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjuca. Duke folur me këtë rast, Konjufca vlerësoi lart veprimtarinë heroit Besnik Restelica, pjesëmarrësin e aksioneve të para të UÇK-së kundër forcave të regjimit serb”, ka përfunduar ai./Llapi.info