Lokale - eSIMy

Bastioni i shumë-përmendur i LDK-së në Podujevë, pas 20 vitesh është thyer në zgjedhjet e mbajtura dje. Kjo komunë, e cila quhej “kala” e pathyer e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ra me të parën, pa balotazh, përkundër që krerë të kësaj partie u shprehën të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Pas 20 vjetësh, LDK-ja ia dorëzoi LVV-së, bastionin më të madh të saj, atë në Llap, madje me një rezultat të thellë, shkruan Llapi.info.

Ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që qeverisi në këtë komunë për 20 vjet rresht. Pikërisht në  vitin 2000, Agim Veliu ishte bërë Kryetar i Kuvendit të komunës së Podujevës deri në vitin 2002. Por, sërish në vitin 2002, Veliu bëhet Kryetar i Kuvendit të komunës së Podujevës, post të cilin e mban deri në vitin 2004.

Mirëpo, në vitin 2004 kur mbahen zgjedhjet parlamentare, në qeverinë e krijuar mes LDK-së e AAK-së, Agim Veliu, nga niveli lokal avancohet në nivel qendror, duke marrë post ministror, gjegjësisht ishte bërë Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, post të cilin e ka mbajtur nga viti 2004 deri në vitin 2007.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2007, kur LDK-ja humbi zgjedhjet, Agim Veliu, bëhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të vitit 2009, vendos t’i kthehet sërish nivelit lokal duke kandiduar për kryetar të Podujevës, zgjedhje këto të cilat i fitoi dhe mori mandatin e kryetarit të Podujevës.

Veliu bëhet i pamposhtur në Podujevë, pasi që nga viti 2009, ka fituar tri herë në zgjedhje lokale. Pos zgjedhjeve të 2009-tës, Veliu i LDK-së pastaj fitoi edhe në zgjedhjet tjera në vitin 2013 dhe 2017.

Mandatin e këtij të fundit s’e çoi deri në fund. Ai dha dorëheqje për t’u emëruar si ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, si dhe në Qeverinë Hoti.

Por, cila ishte historia e fitoreve të LDK-së në Llap?

Në zgjedhjet për kryetar të komunave në vitin 2007, LDK-ja kishte dalë e para me 49.10% të votave, derisa pas saj ishte radhitur PDK-ja.

Në raundin e dytë, ndërkaq, në Podujevë LDK-ja kishte fituar 54% të votave, derisa kandidat për kryetar të komunës ishte Ilaz Pireva. PDK-ja kishte marrë 46% të votave me kandidatin Muhamet Latifi.

Agim Veliu kishte kandiduar në zgjedhjet e vitit 2009 për kryetar komune, derisa ishte radhitur i pari me 49,93% të votave, i pasuar nga kandidati i PDK-së.

Veliu, megjithatë, kishte fituar në raund të dytë, duke e mposhtur kandidatin e PDK-së me 66,18% të votave.

Nënkryetari i LDK-së kishte arritur që ta merrte besimin e llapjanëve edhe për një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit 2013. Atëherë, Veliu kishte dalë i pari nga kandidatët me 50,2% të votave.

Në zgjedhjet e vitit 2017 Veliu dështoi ta fitonte Podujevën në raund të parë.

Atë vit, Veliu mori 48,1% të votave, derisa pas tij radhitej kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera 29,8%.

LDK-ja arriti të sigurojë një mandat në Llap në balotazh, kur e mposhtën Vetëvendosjen me 63,8 % të votave.

Fitoren në vitin 2017 s’e çoi deri në fund LDK-ja, të cilës iu besuan votat. Veliu dha dorëheqje, timonin e mori nënkryetari i kësaj komune, njëherësh kandidati për të parin e Podujevës nga po ky subjekt politik, Nexhmi Rudari për disa muaj.

Në zgjedhjet e djeshme, 29 nëntor 2020, VV e deklasoi atë me të parën, për t’i shkaktuar humbjen më të thellë LDK-së në bastionin e saj më të madh.

Shpejtim Bulliqi fitoi mbrëmë me 51,64% të votave në Podujevë, derisa kandidati i LDK-së mori 35,97% të votave.

Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.

Si u prit fitorja e parë e VV-së në Llap?

Me t’u shpallur projeksionet e para, pak pas orës 19:00, qytetarë të shumtë u mblodhën përpara zyreve të kësaj partie në qendër të qytetit.

Ende pa u shpallur rezultatet preliminare, ata e konsideronin fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në Llap. E kjo, më pas u kurorëzua me rezultatet e para të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga KQZ u bë e ditur se Lëvizja Vetëvendosje fitoi votat për të qeverisur me Podujevën. Në anën tjetër, ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari pranuan humbjen.

Vulosja e triumfit bëri që qindra qytetarë të mblidhen në Bulevardin e Dëshmorëve. Me surle, tupanë e valle, qytetarët festuan fitoren e VV-së deri në orët e mbrëmjes, pak para se të fillonte ora policore, e cila u shty për dy orë. Festës iu bashkuan të moshuar e të rinj, derisa ndezja e tyre u bë kur iu drejtuan kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit foli për herë të parë si kryetar i Podujevës. Ata kërkuan që të shpërndaheshin në mënyrë paqësore.

Por, edhe pse ata u larguan nga sheshi, festa s’u ndal, kurse në anën tjetër, tek LDK-ja mbizotëronte humbja e heshtja për herë të parë.

Qytetarë të shumtë vazhduan të festonin deri në ora 23:00 nëpër rrugët eqendrës. Qyteti i bllokua nga automjetet, ndërkohë që ky qytet ushtonte nga sirenat e shumta. Madje, simpatizantët e kësaj partie festonin edhe mbi vetura, e dikush mbi kombibusë. Flamujt kombëtarë valonin në qytetin, në të cilin s’ka pasur vëmendje kaq të madhe nga mediet e opinioni.

Pak pas orës 22:00 për t’i shpërndarë ata u përkujdesen forca të shumta policore. Kordonë të shumtë të tyre bëri që në qytet të bie festa e zhurma.

Ky proces zgjedhor kaloi pa incidente të shumta, derisa i njëjti u cilësuar si i qetë. Pas këtij triumfi, reaguan zyrtarë të VV-së, të cilët përveç se uruan Llapin, kërkuan që zgjedhjet të mbaheshin sa më parë edhe në nivel nacional.

Në anën tjetër, ata të LDK-së u mblodhën në seli të saj me urgjencë. Krerë të saj janë shprehur të bindur se Podujeva do t’i rikthehet qeverisjes së LDK-së në tetor të vitit 2021, atëherë kur edhe janë zgjedhjet për kryetarë komunash./Llapi.info