Banorë në zona të ndryshme të Podujevës ballafaqohen me mungesë të kushteve elementare edhe pas 20 vjetësh. Edhe pas kaq shumë kohësh, ata po vazhdojnë të kërkojnë asfaltim rrugësh, shtrirjen e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, shkruan Llapi.info.  

Këto kërkesa qytetarët i kanë bërë në debatin publik të organizuar nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, edhe pse ky i fundit këtë takim e kishte për t’i informuar ata me projektet e realizuara në gjysmën e parë të këtij viti, pjesëmarrësit ishin të interesuar për projektet që ata kanë nevojë.

Madje, banorë të fshatrave akuzuan komunarët për mos-përfundimin e punëve që, sipas tyre, janë lënë në gjysmë për shumë vjet.

“Një rrugë 1,500 metra iu ka bë baza në 2012 e qe 8 vjet nuk u shtrua asfalti. Ajo e lidh fshatin Dumnicë-Llaushë edhe del në Dobërdol. I kemi 3 familje në një rrugë 800m afër kufirit që nuk e kanë me asfalt. Edhe një tjetër një familje 500m. Po ashtu edhe rruga 600m që i lidh të dy shkollat”, tha Rexhep Dauti nga fshati Llaushë.

Përfaqësuesi i fshatit Turuçicë, Bajram Azemi, në këtë debat ka thënë se kërkesa për asfaltim e një rrugë në këtë fshat, siç ka deklaruar ai, është bërë që 20 vjet. Ai ka shtuar se në fushata zgjedhore nga ish-kryetari (Agim Veliu) kanë marrë premtime për realizim, por sipas tij, kjo s’është kryer.

“Qe 20 vjet pas luftës na veç një kërkesë e kemi pas edhe tash prapë e kemi të njëjtën, që 2,5 km rrugë që ka mbetur në gjysmë me u asfaltua. Kjo nuk u ba edhe pse ish-kryetari ka premtuar në fushatë që gjatë këtij mandati do të asfaltohet ajo rrugë. Prej 40 shtëpive që kanë qenë pas luftës, kanë mbetur 10 për shkak të rrugës”, ka thënë Azemi.

Muharrem Hoxha nga fshati Orllan përpara drejtorëve të Drejtorive ka paraqitur problemet me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj ane.

“Çdo ditë turistët i gjuajnë mbeturinat, qaty hajnë qaty i gjuajnë me paketa. Kemi ba kërkesë edhe për varreza. Edhe shkolla e vjetër që ka mundësi me hi nën mbrojtje. Tash 92 vjet i ka ba. Një rrugë 1.800 metra në Brainë me shtrua me zhavorr menjëherë, se na i kemi mbledh 5 mijë euro për me ndërtua urën”, ka potencuar Hoxha.

Mungesë infrastrukturore ka edhe në fshatin Lupç të Epërm. Kështu ka deklaruar Shaban Menxhiçi nga ky fshat, i cili ka përmendur punët që sipas tij s’janë krye siç duhet.

“Janë dy punë që nuk janë kryer si duhet, kanalizimi dhe pastrimi i Lumit të Kaçandollit. Në 3 vende uji e ka këput kanalizimin edhe ujërat e zeza derdhen prapë në lumë. Edhe një rrugë 1 km po kërkojmë vetëm zhavorrin me ia qit”, thotë ai.

Naim Hoxha nga fshati Pakashticë e Epërme ka kërkuar që Komuna të përfundojë kanalizimin fekal. Sipas tij, janë 10 familje që kanë mbetur jashtë kanalizimit që e ka ndërtuar Komuna.

“Kërkesë e fshatit është përfundimi i kanalizimit, janë 10 katundarë që nuk janë lidh me kanalizim. Edhe rruga u asfaltua, po urat nuk janë ndërtua e duhet 3 ura. Edhe mbrojtëset e rrugës me u ndërtua. Me u bë zgjerimi i një rruge në Pakashticë, lagjja Kolovicë edhe zgjerimi i një rruge tjetër. Me e heq shtyllën elektrike që e kanë vendos në asfalt”, ka thënë Hoxha.

“Shkolla u ndërtua, po e ka mundësi me ndërtua fushën për sport ose sallë të edukatës fizike?”, ishte kërkesa e Osman Sylës nga fshati Llapashticë  e Poshtme.

Me mungesë kanalizimi, asfalti e ujësjellësi ballafaqohen edhe banorët e fshatit Konushec, për të cilat kërkesat i ka bërë Fadil Berisha.

“Ne i kemi 3 kërkesa, 1 ujësjellësi qe disa vite kemi probleme, 2 trotuarin te xhamia edhe prej rrugës kryesore deri te shkolla edhe i kemi 3 rrugica nga 150m”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, banorët e fshatit Miroc të kësaj komune problemin më të madh e kanë me ujë të pijshëm.

“Problemi kryesor e kemi për ujë. Banorët bartin ujë me traktorë e cisterna. Me ua çelë bile nga 1 pus”, ka thënë Enver Haliti nga ky fshat.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në këtë takim ka përmendur realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Rudari tha se buxheti i Komunës së Podujevës për këtë vit është 24,086,269 euro, prej tyre 22,669,708 euro janë nga granti qeveritar, kurse 1,416,561 euro nga të hyrat vetanake.

Duke folur për projektet që janë realizuar dhe ato që janë në fazën e realizimit, Rudari, përmendi projektin më madhor infrastrukturor që është duke u realizuar, ndërtimi i bulevardit “Sheshi i Dëshmorëve” në qendrën e qytetit, në të cilin tashmë janë kryer disa pozicione, por që si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19 ka ngecje ne dinamikën e kryerjes së punimeve. Ai përmendi edhe punët që janë dukë u kryer në asfaltimin e disa rrugëve në fshatra.

“Është kryer ndërtimi i rrjetit të kanalizimit fekal në disa lokalitete. Është bërë trajtimi i rrugëve me zhavor në mbi 30 lokacione, po vazhdohet të punohet edhe në 12 rrugë. Gjithashtu është duke u punuar në ndërtimin e trotuareve punohet në segmentet Llugë-Kaqybeg Gërdoc dhe Bajçinë –Letanc. Ndërsa janë të kontraktuara edhe ndërtimi i trotuareve në disa fshatra tjera”, ka thënë ai, duke përmendur punët edhe në sektorë të tjerë./Llapi.info