Një incident shqetësues ka ndodhur mesditën e së dielës në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku një qytetar ka përfunduar në pranga pasi ka kanosur një zyrtar policor gjatë një kontrolli rrugor.
I dyshuari është ndaluar nga njësia policore rreth orës 12:30 në rrugën “Gryka e Llapit”, ndërkohë që po drejtonte një veturë të tipit Honda.
Në momentin që policia i komunikoi kundërvajtjen, ai është revoltuar dhe ka shqiptuar fjalë kërcënuese ndaj njërit prej zyrtarëve.
Pas këtij veprimi, ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 181 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti është marrë për trajtim të mëtejmë nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda në Podujevë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.