Lokale - eSIMy

Edhe dy raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Komunën e Podujevës, pas pesë testimeve të bëra sot nga kjo komunë, raporton Llapi.info.

Rastet pozitive janë dy familjarë në dy vendbanime të ndryshme, gjegjësisht një nga fshati Konushec, e tjetri nga fshati Gërdoc. Burimi i infeksionit është një qytetar nga Prishtina. Kështu ka deklaruar për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.

“Dy raste janë konfirmuar sot me COVID-19, një nga fshati Konushec dhe tjetri nga fshati Gërdoc, por që të dy rastet janë familjarë. Janë rast kontakti i një personi nga Prishtina”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka folur për Llapi.info edhe për rastet aktive nga Komuna e Podujevës, derisa ka shtuar se numri ka shkuar në shtatë. Sipas Ramës, gjendja e të infektuarve është e mirë dhe stabile.

“Në Podujevë tash për tash janë shtatë raste aktive me COVID-19, me dy rastet e konfirmuara sot. Gjendja e të infektuarve është e mirë dhe stabile. Sot, janë bërë pesë testime, dy pra pozitive. Nesër do t’i marrim informatat më të hollësishme dhe do t’i bëjmë gjurmimet e kontakteve”, ka thënë Rama.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka regjistruar të enjten edhe 28 raste të reja me COVID-19, pas kryerjes së 228 testimeve me mostrat e marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit, deri më tani në Kosovë janë infektuar me koronavirus 1 mijë 326 qytetarë, prej tyre 921 janë shëruar, kurse 31 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë, e që të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info