Lokale - eSIMy

Përgjatë vikendit, në Komunën e Podujevës s’është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus, përkundër faktit se ka pasur të testuar për COVID-19, raporton Llapi.info.

Mospasja e rasteve të reja, ka ndikuar që në këtë komunë të ulët ndjeshëm numri i rasteve aktive.

Epidemiologia dhe Koordinatorja e Shtabit Emergjent në këtë komunë, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se tani kanë mbetur vetëm edhe 26 persona aktivë me virusin korona.

“Me 03 dhe 04 të këtij muaji nuk kemi pasur raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 565 të shëruar, ndërkohë që 26 raste të tjera janë ende aktive”, ka thënë Rama.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 600 persona.

Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar për 19 viktima, ndërkohë janë testuar rreth 2,500 llapjanë.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 56 raste të reja pozitive me koronavirus, pas testimit të 567 mostrave. Në 24-orëshin e fundit po ashtu janë shëruar 69 pacientë.

Marrë parasysh në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 15.814. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.328./Llapi.info