Dy të dyshuar në Podujevë janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ngjarja kishte ndodhur më 7 maj, ku të dyshuarit kishin goditur viktimën me mjet të rrezikshëm në pjesë të ndryshme të trupit, ku edhe i kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Të akuzuarit A.S dhe D.S janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, për secilin veç e veç, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në këtë dënim do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 07.05.2020 deri me datë 07.08.2020”, njofton Gjykata.
“Të akuzuarit A.S dhe D.S me datë 07.05.2020 pas një mosmarrëveshje paraprake, e kishin goditur të dëmtuarin V.K me mjet të rrezikshëm në pjesë të ndryshme të trupit, po ashtu në fytyrë dhe kokë, duke i shkaktuar thyerje dhe plagë në hundë dhe në kokë, ku i njëjti si pasojë e goditjeve kishte pësuar lëndime të rënda trupore. I dëmtuari V.K është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore./Llapi.info






