Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë gjithsej 61 premtime për mandatin qeverisës katërvjeçar, raporton Llapi.info.
Instituti për Studime të Avancuara, GAP, ka publikuar platformën e këtyre premtimeve, prej të cilave, Bulliqi më së shumti i ka bërë në fushën e Arsimit.
Sipas GAP-it, i pari i Podujevës gjatë fushatës zgjedhore ka bërë tri premtime për Administratë, 14 në Arsim, 5 në Bujqësi, 6 në Ekonomi, 5 në Infrastrukturë, 7 në Kulturë 7 në Shëndetësi, 9 në Shërbime Publike, 1 Sociale dhe 4 në Sport.
Bulliqi ka në Arsim ka premtuar se do t’i ndërtoj tri shkolla – një në fshatin Obrançë, një në fshatin Llugë dhe një në Dumosh.
Në Shëndetësi, Bulliqi ka thënë se do të realizohet ndërtimi i Urgjencës së qytetit.
Po ashtu, gjatë fushatës, Bulliqi që fitoi në zgjedhje nga LVV, ka thënë se do të ndërtohet Stacioni i Autobusëve, parkingu nëntokësor, ndërtimi i palestrës sportive e ndërtimi i shtëpisë së kulturës.
Ndryshe, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje e ka mposhtur Ekrem Hysenin e LDK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 14 nëntor. Bulliqi ka marrë 20,788 apo 52,06% të votave kundrejt Hysenit, i cili ka grumbulluar 19,141 apo 47,94% të votave.
Duke klikuar KËTU mund t’i shikoni të gjitha premtimet që janë bërë nga kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi./Llapi.info






