Lokale - eSIMy

Vetëm dy raste të reja me virusin korona janë konfirmuar nga IKSHPK-ja të hënën në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të dy rastet janë nga qyteti.

Krahas rasteve të reja, sot janë shpallur të shëruar edhe 18 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e tyre në 223.

Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës, aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë 163.

Deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar rreth 400 persona, kurse janë testuar mbi 1.000 mijë qytetarë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Deri më tani janë raportuar nëntë raste me fatalitet, kurse janë shpallur të shëruar 223 pacientë llapjanë.

Po ashtu, sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë janë testuar 18 qytetarë, rezultatet e të cilëve pritet t’iu dalin ditëve në vijim.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka regjistruar të hënën në Kosovë 172 raste të reja me koronavirusin e ri, pas marrjes së 506 mostrave. Përgjatë 24 orëve, me këtë virus kanë vdekur 14 persona, duke e çuar numrin total të viktimave në 341.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të hënën janë regjistruar edhe 114 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 4,020.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,419 të prekur me COVID-19./Llapi.info